Një nga vendimet më të rëndësishme që duhet merrni nëse dëshironi të studioni jashtë vendit si përshembull në Angli, është zgjedhja e programit që do të studioni. Dy opsionet më të mira janë: A-Levels, ose IB – International Baccalaureate. Të dyja këto programe njihen gjerësisht si programe përgatitore për universitet. Këto programe zhvillohen në dy vitet e fundit të shkollës së mesme dhe nxënësit që regjistrohen në to duhet të jenë mbi 16 vjeç.
Por, përsa i përket vendimmarrjes lidhur me universitete në Angli, Amerikë, Gjermani, apo kudo tjetër, cili është programi më i mirë? Epo, ne mund të themi se varet nga çfarë lloj nxënësi ju jeni dhe çfarë qëllimesh keni. Nuk e dini se për çfarë po flasim? Lexoni më poshtë dhe do t’ju shpjegojmë se cili nga këto këto programe është i duhuri për ju.
Si funksionon A-Levels?
A-Levels është kualifikimi zyrtar që japin shkollat e mesme në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut. Nxënësit zakonisht studiojnë tre ose katër lëndë në A-Level, por nuk ka një kufi për numrin e lëndëve që mund të zgjidhen.
Programi A-Level ndahet në dy faza: niveli AS dhe niveli A2. Lëndët në nivelin AS zgjidhen gjatë vitit të parë të studimeve tuaja dhe shërbejnë si një “bazë” për vitin tuaj të fundit, kur pritet të përfundoni kurset më të avancuara. Nxënësve iu lejohet të heqin disa lëndë pas vitit të parë, në mënyrë që të kenë kualifikime të nivelit AS për këto lëndë, për sa kohë që do të përfundojnë një minimum prej tre lëndësh në nivelin A2. Lëndët e nivelit A2 janë ato që llogariten si “klasa përfundimtare”, por lëndët e marra në AS mund të shërbejnë si një shtesë në kurrikulën tuaj. Shumica e lëndëve në A-Level përbëhen nga katër module secili.
Notat në A-Level variojnë nga E në A*. Notat e nivelit AS shkruhen me shkronja të vogla (a-e).
Si funksionon IB?
Ky program mësimor ndërkombëtar përbëhet nga gjashtë lëndë. Ju duhet të zgjidhni një lëndë nga secili prej grupeve të mëposhtme: gjuhë e parë (një gjuhë në të cilën jeni akademikisht kompetent), gjuhë e dytë, shkencat humane/sociale, shkenca ekzakte dhe matematikë. Lënda e fundit mund të jetë nga fusha e Arteve ose mund të zgjidhet një lëndë shtesë në një nga grupet e lëndëve të tjera. Ju gjithashtu duhet të zgjidhni tre nga këto lëndë që do të zhvillohen në High Level (idealja do të ishte të zgjidhnit lëndë që kanë të bëjnë me interesat tuaja personale dhe atë që dëshironi të bëni me karrierën tuaj të ardhshme) në mënyrë që të keni njohuri më të thella, tre lëndë të tjera studiohen në nivelin Standard Level.
Programi IB përfshin gjithashtu një bërthamë akademike, e cila përbëhet nga një lëndë e quajtur Teoria e Njohurive – Theory of Knowledge (TOK), një ese e zgjeruar – Extended Essay (EE) dhe CAS (Kreativitet, Veprim dhe Shërbim) që nxit studentët që të marrin mësime extra jashtëshkollore.
Shkalla e vlerësimit në IB shkon nga 1 në 7 për secilën lëndë. Eseja e zgjeruar dhe TOK mund t’i japin një nxënësi maksimumi 3 pikë bonus, kështu që pikët më të larta që mund të arrini janë 45. Diploma u jepet nxënësve nëse kanë minimumi 24 pikë, por janë edhe disa kushte të tjera që duhet të përmbushen edhe nëse sapo keni arritur minimumin e pikëve për të kaluar.
Cilin program duhet të zgjidhni për te vijuar studimet e larta në Europën Perëndimore apo SHBA?
Nëse jo domosdoshmërisht dëshironi të shkoni në një universitet në Angli, IB është ndoshta një zgjedhje më e mirë. Për shkak se është një program ndërkombëtar, ai njihet në më shumë se 90 vende. Por nëse jeni të sigurtë që doni të studioni në Britaninë e Madhe, rekomandohet të studioni A-Levels, pasi është diploma tradicionale e shkollës së mesme të Anglisë.
Sipas Raportit Zyrtar të Pranimeve Universitare 2017, IB është një program, i cili nxit një “perspektivë globale” tek nxënësit, ndërkohë që A Levels iu jep atyre më shumë ekspertizë “në thellësinë” e studimeve të 3 lëndëve kryesore. Shumë persona të punësuar në zyrat e pranimeve në universitete në Mbretërinë e Bashkuar u ftuan të vlerësojnë të dy programet dhe se si këto zhvillojnë një sërë cilësish të ndryshme tek nxënësit apo studentët e ardhshëm. Rezultoi se ka një ndryshim të konsiderueshëm në të dy programet studimore dhe këto ndryshime lidhen pikërisht me degën që synohet të ndiqet në studimet universitare. Nëse jeni të bindur për çfarë doni të studioni, atëherë A Levels është më i pështatshëm, nëse jeni ende në mëdyshje dhe dëshironi të performoni mirë në disa lendë, atëherë IB.
Programi A Levels është më i mirë nëse dëshironi të aplikoni në një universitet / degë që ka pjesë të procesit të pranimeve edhe intervistën, si psh dega e mjekësisë ose degët e universiteteve Oxford dhe Cambridge, kjo pasi pyetjet që do të parashtrohen priren të formulohen duke pasur në mendje A Levels. A-Levels iu jep mundësinë të keni njohuri më të thella në fushat që kanë të bëjnë me atë që dëshironi të studioni në universitet, sepse ka shumë pak lëndë mësimore, kështu që nxënësit kanë më shumë kohë të studiojnë në mënyrë të pavarur (le të jemi të sinqertë: edhe pse lëndët e programit IB synojnë njohuri të thella, nxënësit duhet t’i kushtojnë kohën e nevojshme edhe lëndëve të Nivelit Standard).
Nga ana tjetër, nëse nuk jeni të sigurt për atë degë që dëshironi të studioni në universitet, ndoshta duhet të zgjidhni IB, pasi është program më i gjerë dhe do t’ju lejojë të keni kontakt me fusha të ndryshme të dijes. Për më tepër, IB tenton të përgatisë studentët për punë në nivelin universitar në mënyrë më efikase, pasi ka projekte dhe punë hulumtuese që ndikojnë në llogaritjen e notës tuaj përfundimtare (vlerësimet e brendshme dhe eseja e zgjeruar) gjatë dy viteve, dhe jo vetëm provimet përfundimtare.
Megjithatë, nuk mund ta mohojmë që herë pas here programi IB është paksa dërrmues, kështu që nëse nuk e konsideroni veten një person super “akademik” dhe do të dëshironit të kishit më shumë kohë të lirë, atëherë IB mund të mos jetë programi i duhur për ju.
Kur vjen puna tek bursat për shkolla të mesme jashtë vendit, nuk ndikon shumë zgjedhja e programit që ju do të bëni. Si shkollat që ofrojnë IB ashtu edhe ato që ofrojnë A Levels, do të shohin përgatitjen tuaj aktuale, notat e disa viteve të fundit, do të vlerësojnë arritjet tuaja dhe ajo që ju duhet të bëni mirë, është të performoni shkëlqyeshëm në provimet e pranimit dhe gjatë intervistës. Shkolla të ndryshme të mesme në Gjermani, Austri, Portugali, Angli, Amerikë, Zvicër, Itali, etj, ofrojnë programe të ndryshme dhe bursa në masa të ndryshme, në varësi edhe të kandidatit.
Nëse konsuloheni me një specialist sa i takon arsimimit tuaj, atëherë kjo zgjedhje do të bëhet më e lehtë, pasi do të merrni më shumë informacion më të plotë mbi kriteret e pranimit dhe proçedurat e aplikimit për të studiuar jashtë, jo vetëm përsa i takon programit, por edhe për zgjedhjen e shkollës së duhur.
Rezervoni konsulencën tuaj FALAS
Regjistrohuni ose na kontaktoni +355 422 52 065. Ju presim!