Arsimimi jashtë vendit vazhdon të jetë për shumë familje shqiptare kryefjalë e planeve për arsimimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre. Natyrisht që secili kërkon opsionin më të mirë të një shkolle jashtë vendit. Disa prindër nxiten nga dëshirat dhe ambiciet e vetë fëmijëve të tyre ndërkohë të tjerë prindër nxiten nga potenciali i jashtëzakonshëm që ata gjejnë tek fëmija i tyre, potencial i cili në kushtet e arsimit në Shqipëri dhe mundësive të kufizuara që ai ofron, me shumë gjasë mbetet i papërmbushur.
Të gjendur përballë sfidave të tilla në jetën e tyre, prindërit përpiqen të projektojnë një të ardhme më të mirë për fëmijën e tyre. Gjithçka mund të nisë me zgjedhjen e një shkolle të mesme jashtë vendit!
Çfarë duhet të keni parasysh në vendimmarjen tuaj për një shkollë të mirë dhe si të zgjidhni më të mirën për fëmijën tuaj?
- Eksperienca
Së pari ju duhet një këshillues i edukimit jashtë vendit. Eksperienca e personave të ngjashëm me ju, të cilët kanë patur të njëjtat kërkesa dhe ëndrra dhe kanë arritur t’i realizojnë ato, ju ndihmon në vendimmarrjen tuaj. Kështu, këshilluesit ndajnë me ju këto eksperienca si dhe nëse jeni tashmë duke hulumtuar përmes internetit apo duke biseduar me të njohur dhe miq tuaj, ata ju lehtësojnë në zgjdhjen mes alternativave më të përshtatëshme për ju dhe fëmijën tuaj. Opinioni dhe këshillat e tyre janë të vlefshme jo vetëm kur nuk keni informacionin e duhur por edhe kur jeni të dyzuar mes zgjedhjesh dhe mundësish të ndryshme që paraqiten para jush.
- Koha
Është e rëndësishme që vendimi për të dërguar fëmijën tuaj në një shkollë të mesme jashtë vendit, të vijë në momentin e duhur. Sipas ekspertëve të arsimit në botë, asnjëherë nuk është shumë herët për të nisur interesimin mbi shkollat jashtë vendit, programet e tyre akademike, avantazhet dhe disavantazhet e tyre dhe të tjera diskutime si këto. Eksperienca ka treguar që, sa më e hershme të jetë perspektiva për këto zgjedhje aq më i natyrshëm do të vijë vendimi dhe sa më herët fëmija juaj të nisë studimet në një vend të huaj, aq më i lehtë do jetë për të procesi i adaptimit me ndryshimet në stilin e jetesës dhe të jetuarit larg familjes dhe i pavarur. Momenti i duhur është ai në të cilin fëmija është i gatshëm të përballet me këto sfida dhe padyshim që prindërit janë ata të cilët dinë më së miri kur ky moment ka ardhur.
Zgjedhja e një vendi për ndjekjen e një shkolle të mesme, nuk është asnjëherë tërësisht subjektive. Sigurisht që bazur në prioritetet që ju keni, mund të zgjidhni një shkollë të mesme duke u nisur nga një vend i cili për arsye të caktuara është i preferuar për ju apo fëmijën tuaj. Megjithatë, vendet kanë sigurisht një emërues të përbashkët, ato janë ndër vendet më të zhvilluara të botes moderne si dhe kanë një reputacion të lartë në arsimim dhe në standartin e jetesës. Me fenomenin e globalizmit, mundësitë e zgjedhjeve janë zgjeruar dhe unifikuar dhe si pasojë sot ka diferenca pak të ndjeshme mes vendeve, në lidhje me programet akademike të arsimit të mesëm që ofrojnë si dhe standartit dhe cilësisë së kushteve infrastrukturore dhe faciliteteve që shkollat ofrojnë për nxënësit e tyre. Padyshim që për shumë nga ju, një kriter percaktues mund të jetë distanca nga Shqipëria, si dhe lehtësirat në procedurat e largimit dhe lëvizjeve të ndërmjetme.
- Tipi i shkollës
Atmosfera në të cilën shkolla organizon gjithë veprimtarinë e saj edukative dhe mësimore është gjithashtu një element i rëndësishëm. Kështu ju mund të zgjidhni duke u bazuar gjithmonë tek preferencat individuale të fëmijës tuaj, karakteri i tij si individ, aftësitë e tij për t’u përshtatur dhe socializuar, aftësitë e tij për të mësuar dhe për të qenë I suksesshëm nën trysni dhe presionin e perfeksionit etj. Pra siç e kuptoni, ka shumë faktorë që duhen marrë parasysh dhe që lidhen me tipet e shkollave. Në përgjjithësi, dy janë kategoritë kryesore:
- shkollat të cilat sigurojnë për nxënësit një atmosferë të ngrohtë dhe familjare, janë jo shumë selektive nga ana akademike por që njëkohësisht ofrojnë dhe gjithë mbështetjen e nevojshme në arritjen e rezultateve të larta akademike,
- shkollat të cilat edhe pse ofrojnë ndjesinë e të qenit pjesë e një familjeje, kanë një atmosferë pak më agresive duke qenë shumë selektive që në përzgjedhje dhe duke preferuar nxënës të cilët mund të punojnë mjaft mirë nën presion dhe të ruajnë rezultatet e tyre ekselente duke ruajtur kështu edhe reputacionin e shkollës.
- Reputacioni dhe Rankimi
Shumë prej jush mund të udhëhiqen në vendimmarjen e tyre nga reputacioni që shkollat kanë duke ju referuar listave dhe renditjeve nga burime të ndryshme të cilat publikojnë këto rankime bazuar në një sër kriteresh. Kështu disa shkolla janë në krye të listave pasi kanë patur për një periudhë kohe të caktuar rezultatet akademike më të larta të nxënësve të tyre krahasuar me të tjera shkolla konkurrente. Disa të tjera janë në krye të rankimeve në bazë të vlerësimeve në kompleks që struktura të caktuara në vend, bëjnë gjatë auditimeve të shkollave. Gjithashtu, mund të ndodhë që reputacioni i lartë i një shkolle të jetë i lidhur me faktin që ajo është ekskluziviet i fëmijëve të familjeve elitë dhe me influencë në vend. Pra në përgjithësi, duhet të bëni kujdes kur i referoheni të tilla listimeve, pasi ato mund të kenë faktorë të jashtëm ndikues në publikimin e tyre.
- Vizita në shkollë
Edhe pse mund të tingëllojë paska cliché duke qenë se eksperienca reale është gjithmonë më e mirë se ajo virtuale për të gjykuar mbi cilësinë e një shkolle, një vizitë nga afër në shkollën ku po mendoni të dërgoni fëmijën tuaj është shumë e rëndësishme. Edhe pse për disa familje mund të ketë vështirësi në realizimin e një vizite, eksperienca ka treguar se në shumë raste ajo ka arritur të jetë vendimtare në zgjedhjen e shkollës nga fëmija dhe prindërit. Kështu vizita në shkollë/a mund të jetë një faktor të cilin duhet ta konsideroni seriozisht në planet tuaja.