Arsimi i mesëm në "mesin e pandemisë"! | Integral

Arsimi i mesëm në “mesin e pandemisë”!

07.04.2020

Përshtatja ndaj një bote në ndryshim

Tashmë është e qartë se, ajo që nisi si një “situatë në kufijtë aziatikë”, është kthyer edhe në një “realitet të përditshmërisë sonë europiane”. Tashmë të gjithë presim që e ardhmja të jetë ndryshe ndërkohë që po përgatitemi për një epokë të re dhe të revolucionalizuar.

Por e ardhmja, sido që të jetë, nuk mund të kuptohet pa arsimimin e gjeneratave që do të vijnë dhe mbi të gjitha pa arsimimin e atyre fëmijëve dhe të rinjve të gjeneratës aktuale, të cilët gjenden për momentin të ‘ngecur’ në rrugën e dijes dhe edukimit.

Kështu, në kushtet e pandemisë së Covid-19, padyshim që arsimi është mjaft i prekur dhe shkollat e arsimit të mesëm po mundohen t’i bëjnë ballë vështirësive dhe sfidave të rradhës. Situata të tilla, sado pasiguri të krijojnë, shërbejnë nga ana tjetër për të vënë në lëvizje mekanizma të rinj që mund të rezultojnë të suksesshëm. Gjithashtu, shkollat mund të shfaqin në këto situata më të mirën e tyre, duke qenë përballë sfidës për të ruajtur cilësinë akademike të arsimimit në mesin e një pandemie.

Ja cilat janë çështjet kryesore dhe shqetësimet aktuale në lidhje me situatën e shkollave të mesme jashtë vendit, si po përshtaten ato ndaj ndryshimit dhe cila është zgjidhja alternative e ofruar përkohësisht:

  1. Mbyllja e shkollave

Në Europë, reagimet e para kundrejt pandemisë, në lidhje me arsimin e mesëm, krahas masave të tjera që u morën, ishin mbyllja e shkollave të mesme dhe pezullimi i mësimit për një periudhë të pacaktuar, në varësi të shtetit dhe nivelit të përhapjes së infeksionit. Vendet si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Irlanda, Italia, Gjermania, Spanja, Danimarka, Austria, Portugalia, vendet e Ballkanit, disa nga vendet Nordike dhe vende të tjera në Europë, i mbyllën shkollat e mesme dhe aktualisht ato vazhdojnë të jenë të tilla.

  1. Për sa kohë do të qëndrojnë të mbyllura?

Qeveria britanike deklaroi se shkollat në Mbretërinë e Bashkuar do të mbyllen “deri në njoftimin e mëtejshëm” me spekulime të shumta që ato nuk do të hapen deri në shtator të vitit 2020. Shkollat ​​në të gjithë Evropën, por edhe SHBA, kanë mbetur të mbyllura dhe besohet se do të jenë të tilla deri në fund të vitit aktual akademik.

  1. Mësimi online

Zgjidhja më e mirë e gjetur dhe që po rezulton funksionale është ajo e mësimit online. Kjo metodë po aplikohet gjerësisht nga shkollat e mesme në UK dhe vende të tjera. Nga përvoja e javëve të fundit, ku po dilet nga kornizat dhe metodat tradicionale të mësimit face-to-face, duket se komoditeti i të mësuarit nga shtëpia dhe i interaktivitetit virtual po fiton kohë. Gjithashtu, shkollat besojnë se kjo eksperencë e re e bashkëpunimit përmes internetit, do të luajë një rol pozitiv dhe do t’i përgatisë nxënësit në lidhje me punën që ata do të bëjnë në të ardhmen.

Me mbylljen e semestrit aktual, po planifikohet që mësimi të vazhdojë online edhe për semestrin tjetër, të paktën deri në një njoftim të dytë.

  1. Përditësimi i informacionit

Shkollat e arsimit të mesëm po përpiqen të japin për të gjithë nxënësit e tyre, prindërit dhe të gjithë ata që mund të jenë të interesuar, këshilla dhe udhëzime se si të përfitojnë sa më shumë nga eksperienca e të mësuarit nga shtëpia. Kështu mbeten në kontakt me ta dhe i ndihmojnë njëkohësisht për të qëndruar pozitivë dhe të motivuar. Shkolla ofron përditësimet e informacionit në kohë reale.

  1. Ruajtja e imazhit dhe kredibilitetit

Gjithashtu shkollat e mesme jashtë vendit, në kohë të tilla po justifikojnë kredibilitetin dhe kualitetin e tyre me format alternative dhe opsionale të programeve akademike që ofrojnë, siç janë kurset online, programet verore të natyrës akademike online, këshillim karriere me tutorë profesionistë online, aplikime dhe intervista akademike online etj.

  1. Provimet e këtij viti akademik

Një shqetësim i momentit është gjithashtu se si do të bëhen këtë vit provimet shtetërore të mbylljes së ciklit të studimeve në gjimnaz por jo vetëm. Diplomimi online? Deri tani nuk është diskutuar kjo gjë për gjimnazet. Në Anlgi, Uells, Skoci dhe në Irlandën e Veriut tashmë kanë vendosur që këtë vit do anulojnë të gjitha provimet shtetërore të cilat bëhen në maj dhe qershor, GSCE dhe A- Levels. Kjo gjë ndodh për herë të parë në historinë e Skocisë. Gjithashtu nxënësit do të pajisen me kualifikimet/diplomat e nevojshme dhe për të cilat ato po pregatiten. Po kështu,  është vendosur nga IBO – organi drejtues i provimeve të IB, se të gjitha provimet e IB që duhej të bëheshin në Prill dhe në Maj, do të anulohen.

Po diskutohet për një zgjidhje të mundshme që nxënësit britanikë të vlerësohen në bazë të rezultateve të provimeve të simuluara (provë) të bëra në janar si dhe nga rezultatet e deritanishme.

Situata paraqitet ndryshe në vende si Gjermania, e cila duket se e ka situatën më në kontroll në çdo aspekt. Kjo duket edhe nga vendimi që ka marrë për të vazhduar me provimet e maturës shtetërore (Abitur).

 

☎️ +355694040801