10 hapa si të aplikoni në një universitet në UK | Integral

10 hapa si të aplikoni në një universitet në UK

27.11.2020

Mbretëria e Bashkuar ka qenë gjithmonë një ndër destinacionet më popullore për studime, kjo për shkak të reputacionit që gëzojnë universitetet britanike ashtu edhe për shkak të cilësisë së jetës, arsimit të shkëlqyeshëm dhe mundësive profesionale. Ashtu si shumica e vendeve, Britania e Madhe ka një proces specifik aplikimi që duhet të ndiqet për të siguruar pranimin në shkollë. Në mënyrë që të krijoni një ide më të qartë në lidhje me procesin e aplikimit, ne kemi veçuar hapat më të rëndësishëm që duhet të ndiqni në mënyrë që të keni një aplikim të suksesshëm.

  1. Shqyrtoni programet

Sa më shpejt të filloni hulumtimin tuaj, aq më shumë shanse keni të gjeni programin e duhur për ju. Zgjedhja e programit të duhur është një vendim shumë i rëndësishëm.

Është e rëndësishme të zgjidhni degën e studimit që ju intereson dhe në të cilën dëshironi të ndërtoni karrierën tuaj. Kontrolloni strukturën e programit, metodat akademike, listën e lëndëve dhe mësoni sa më shumë detaje rreth programit.

  1. Zgjidhni një universitet

Sapo të vendosni se çfarë dëshironi të studioni, hapi tjetër do të ishte të zgjidhni një universitet. Kontrolloni renditjen e secilit universitet, por mos i kushtoni shumë rëndësi rankimit, pasi kjo mund t’ju bëjë ta zgjidhni vetëm për shkak të reputacionit që ka si institucion. Do të ishte mirë të kontrolloni se në cilat universitete është rankuar më lartë programi për të cilin interesoheni, si dhe komentet e përvojat e studentëve aktualë apo të atyre të mëparshëm.

  1. Njihuni me sistemin e aplikimit UCAS

UCAS (The Universities and Colleges Admissions Service) përdoret për të menaxhuar procesin e regjistrimit në universitetet britanike. Është një platformë që do ta përdorni për të aplikuar deri në pesë universitete në UK dhe ku mund të shqyrtoni cdo program në mënyrë të detajuar.

Pasi të regjistroheni në platformë, do të jeni në gjendje të plotësoni profilin tuaj personal. Ndiqni udhëzimet me kujdes dhe aplikoni për programet që ju interesojnë. Më pas do të jeni në gjendje të monitoroni statusin e aplikimit tuaj përmes sistemit.

  1. Përgatitja

Studentët që aplikojnë për programe në mjekësi, veterinari, stomatologji dhe për programe në universitetet e Oksfordit ose Kembrixhit duhet të jenë të përgatitur për mundësinë që të ftohen për një intervistë. Intervista është një mundësi për të impresionuar vendimmarrësit dhe për të treguar pasionin tuaj për programin për të cilin keni aplikuar. Jini të përgatitur për pyetje të komplikuara që kërkojnë përgjigje të hollësishme. Mënyra më e mirë për t’u përgatitur është të praktikoni me profesorë ose familjarë dhe miq, si dhe të lexoni libra dhe artikuj në lidhje me fushën tuaj të interesit. Kjo jo vetëm që do t’ju ndihmojë t’i përgjigjeni pyetjeve më mirë dhe më saktë, por gjithashtu do të keni më shumë besim gjatë intervistës.

  1. Gjuha angleze

Universitetet në UK kërkojnë një nivel të caktuar të gjuhës angleze. Standardet ndryshojnë nga universiteti në universitet, por si studentë ndërkombëtar që jeni, ju kërkohet të keni një certifikatë të njohur ndërkombëtarisht.

Universitetet zakonisht njohin, certifikimet nga Cambridge English, TOEFL dhe IELTS. Në mënyrë që të keni rezultate të mira të testit, duhet të filloni përgatitjen sa më shpejt të jetë e mundur.

  1. Fitoni përvojë

Ashtu si me një aplikim për punë, çdo përvojë praktike mund t’ju dallojë nga kandidatët e tjerë dhe të rrisë shanset tuaja për t’u pranuar. Pavarësisht nëse është një praktikë, pjesëmarrje në një kamp gjuhësor veror apo një përvojë vullnetare, është një plus i madh për aplikimin tuaj dhe përvoja mund t’ju ndihmojë të pasuroni CV-n tuaj, si dhe të shkruani një letër të mirë motivimi.

  1. Vizitoni universitetet

Kur vendosni për disa programe në disa universitete, do të ishte mirë, nëse keni mundësi, t’i vizitoni ato. Bëni një plan për të përshtatur sa më shumë vizita të jetë e mundur gjatë qëndrimit tuaj në UK. Vizita do t’ju ndihmojë shumë për të kufizuar zgjedhjen tuaj dhe për të vendosur për një numër të caktuar të universiteteve.

Ndonjëherë një vizitë është e vështirë për shkak të kohës, kostos ose arsyeve të tjera, por shumë universitete ofrojnë ture virtuale, të cilat mund t’ju ndihmojnë të krijoni një ide se si duket në të vërtetë universiteti. Gjithashtu, përshtypjet e studentëve mund t’ju ndihmojnë shumë.

  1. Shkruaj një letër të mirë motivimi

Letra e motivimit është një nga elementët më të rëndësishëm të aplikimit dhe shpesh paraqet një sfidë të madhe për studentët. Në thelb, letra duhet të përmbajë arsyet pse dëshironi të regjistroheni në atë program e universitet dhe pse jeni një kandidat i mirë për atë program. Është e rëndësishme që letra të jetë autentike dhe origjinale, në mënyrë që t’ju dallojë nga të tjerët. Nga ana tjetër, nëse nuk bëni përpjekje të mjaftueshme dhe nuk i kushtoni kohë të mjaftueshme shkrimit të tij, kjo mund të ndikojë negativisht në aplikimin tuaj.

  1. Dorëzoni një letër rekomandimi

Të gjithë kandidatëve u kërkohet të paraqesin një letër rekomandimi në aplikimin e tyre, e cila duhet të shkruhet nga dikush që ju njeh mirë në një kuptim akademik, në mënyrë që rekomandimi të pranohet. Rekomandimi duhet të përfshijë detajet e personit që ju garanton, në mënyrë që, nëse është e nevojshme, të mund të kontaktohet për të verifikuar informacionin e dhënë.

  1. Dorëzoni aplikimin

Duke kaluar me sukses të gjithë hapat e mësipërm, ju jeni gati për të aplikuar. Para se ta dërgoni zyrtarisht aplikimin, kontrolloni nëse i gjithë dokumentacioni i nevojshëm është i rregullt, nëse keni  bërë ndonjë gabim ortografik ose nëse keni harruar aksidentalisht ndonjë hap. Rekomandohet që ta rishikoni edhe njëherë aplikimin me një profesor, anëtar të familjes ose mik nëse gjithçka është në rregull. Kur të jeni plotësisht i sigurt, dërgoni aplikimin zyrtar.

Merrni pjesë në panairin virtual – “Study in UK”, 3 Dhjetor, ora 14:00 – 18:00:

  • Takime me përfaqësuesit e institucioneve arsimore më të mira Britanike
  • Mbi 50.000 programe studimi
  • Mbi 1.000 bursa të ofruara

Ne kemi numrin më të lartë të studentëve të pranuar në institucionet arsimore në UK

Për tu regjistruar në event:

Panairi Virtual – Study in UK